
Marrëveshja për portin e ri të Durrësit ka hyrë sot në Kuvend me një procedurë të përshpejtuar, ndonëse nuk ishte përcaktuar në rend të ditës. 62 deputetë votuan pro kalimit të kësaj marrëveshje me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që 19 ligjvënës kanë votuar kundër. Kjo gjë ka shkaktuar debate, duke u kundërshtuar nga opozita.
Në fjalën e tij Alibeaj ka kërkuar që parlamenti të mos miratojë ligjin me procedurë të përshpejtuar duke kërkuar transparencën.
Ta fusësh sot në kalendar të punimeve dhe pa një jave ta miratojnë… Sot po fusni me procedurë të përshpejtuar ligjin për Portin e Durrësit. Është një projektligj që ka 5 nene bashkë me hyrjen në fuqi. Ky ligj kushton më shumë nga 30 vite . Kostoja e këtij projektligji është mbi 2 mld dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar sot kur diskutohet buxheti. Ju jeni duke prerë shiritin e një afere ekonomike që shumë shpejt mund të kthehet në një aferë korruptive. Ka vetëm pesë nene, por sapo e the që ka një vit që negociohet, midis kujt? Çfarë është dhënë dhe çfarë është marrë? Sa është territori i Shqipërisë që ju po shisni? Jeni duke shitur diku tej 1 mln metër katror zemra e Shqipërisë. Unë e kuptoj që shuma e madhe do të mbyllë gojën e shumë deputetëve, analistëve, organizatave të shoqërisë civile, por gojën e deputetëve të opozitës të pavarur s’ka për ta kapur. Sa fiton shteti shqiptar. Për çdo investim të huaj jam i hapur që ky vend të ketë sa më shumë. Por a ka pasur një procedurë të thjeshtë, shpjeguese. Ku është transparenca në këtë mes. Nëse ka pasur një problem ky parlament, kanë qenë ligjet me porosi. Çfarë pazari është bërë me Portin e Durrësit? Sot kam vetëm një thirrje presidentit të Republikës, sot jam duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë, pasi shumë shpejt me daljen në dritë të dokumenteve që i mbani fshehur, mund të zbulohet edhe afera korruptive. Bëjeni publike. A është e mirë për shqiptarët, a do të sjellë mirëqenie?”
Nga ana e tij, me tone të ashpra dhe akuza, kryeministri Rama nuk i ka kursyer ofendimet në drejtim të deputetëve të opozitës. Ai tha se opozita është paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë.
Me ca kurajo çohesh këtu edhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet, të ekonomisë globale përfaqësues të një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë 2000 apartamente dhe bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe. Këtu u fut thjesht me procedurë të përshpejtuar një projektligj. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Kemi më shumë se 1 vit që e negociojmë këtë kontratë dhe shteti shqiptar merr pjesë me aksione. Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë, jeni ca të pafe. Merrni nëpër gojë dhe akuzoni për Pazar dhe për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës. Jeni pa Atdhe, pa din e pa iman. Dy miliard investim që i bën ai që vjen, juve thoni kujt do t’ia jepni. Po ju nuk keni faj sepse jeni mësuar të merrni para cash edhe nga armiqtë ë këtij vendi për të rrëzuar qeverinë. E qeshura e madhe e marrëzisë.



