Një grup nismëtarësh kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u pajisur me Fletë Tip për grumbullimin e firmave mbështetëse nga jo më pak se 20.000 zgjedhës për projektligjin “Për ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, çka parashikon katër rajone zgjedhore dhe lista 100% të hapura.
Eksperti zgjedhor Kristaq Kume tha për “MCN Informacion” se kjo nismë nuk ka lidhje me protestën e të rinjve por se gjithçka ka nisur rreth gjashtë muaj më parë.
Ai deklaroi se protesta fillon mbaron atëherë kur shkohet në zgjedhje dhe se nisma është mbështetje për protestën dhe protesta nga ana e saj është mbështetje për nismën e ndërmarrë.
E gjitha nuk ka lidhje fare me atë që po bëjnë të rinjtë sot. Kjo është një punë e nisur 5-6 muaj përpara nga një grup qytetarësh që kërkuan të bëheshim bashkë dhe të hartonim një dokument për të rregulluar legjislacionin tonë për nevojën e zgjedhjeve të ardhshme.
E pranova sepse dy ose tre muaj më parë, në një aktivitet të zgjeruar të shoqërisë civile edhe me përfaqësi ndërkombëtare, atje hodha idenë se ne kemi punuar më vete si organizata dhe jemi paraqiture në komisionin e reformës zgjedhore mendimet tona.
Na kanë dëgjuar. Është koha që të bëhemi të gjithë bashkë për sa kohë që objekti i punës sonë është i njëjtë. Vëzhgojmë proceset zgjedhore dhe duam që të kemi nesër një legjislacion sa më të mirë për të realizuar zgjedhje me standarde, ndaj hajde të çojmë në komisionin e reformës zgjedhore një draft të unifikuar.
Pas 5-6 muajsh arritëm të përfundojmë draftin, por përkoi me protestën. Protesta i doli para në kohë kësaj që ne kishim nisur. Protesta fillon por për mua mbaron atëherë kur shkohet në zgjedhje.
Në një kuptim kjo që kemi bërë ne është mbështetje për protestën dhe protesta nga ana e saj është mbështetje për nismën që kemi bërë ne.
Drafti është i hapur dhe mund të bëhet çdo qytetar pjesë e kësaj nisme, duke ndihmuar në prodhimin e produktit që nesër do jetë projektligj.
Kushdo mund të më bëjë një mesazh mua dhe unë në email i dërgojë draftin, ta konsultojë dhe japë mendime nëse ka për ndryshimet që duhen bërë.



