
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka thotë se pak orë nga agresioni është e qartë se pas atentatit politik dhe të pabesë ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, fshihet Edi Rama, Blendi Çuçi dhe Ardi Veliu.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se informatori i policisë është porosia direkte e pushtetit dhe se e gjitha ishte organizuar si skenar i pushtetit me tre qëllime:
Së pari, plagosjen e Sali Berishës me qëllim mbylljen e gojës së liderit të opozitës, dhe rrjedhimisht shqiptarët të mos kishin zë sot.
Dhe së dyti, acarimin e mbështetësve të Partisë Demokratike dhe të opozitës, në një shkallë që do i shtynte ata përtej arsyes, dhe drejt dhunës përplasjes me policinë.
Dhe së treti shmangien e Berishës dhe opozitës si interlokutor dhe shpalljen e tij dhe PD si forca destabilizuese dhe anti-europiane.
Noka shtoi se gjatë gjithë javës pushteti u mundua të pikturonte me ngjyrat e Rilindjes, ekran më ekran, nëpërmjet skllevërve të pushtetit, një opozitë të dhunshme, por se skenari ju mbeti përgjysmë.
Për t’u hakmarrë për këtë fakt, pasi gjakosën liderin e opozitës, Çuçi me porosi të Ramës dha urdhër të shpalleshin në kërkim dy demokratë, që u munduan të neutralizonin informatorin e future të Policisë.
Për të kuptuar se agresori ishte njeriu i partisë, i lëshuar rrugëve të Tiranës në kërkim të gjakut, mjafton besoj fakti se akoma pa u realizuar atentati, doli nga zyra e Fugës dhe Çuçit, akt-ekspertiza false ku sulmuesi konsiderohej me problem mendore.
Probleme mendore ka vetëm një person dhe ai quhet Edi Rama. Një hakmarrës serial, siç e pohon vetë në librin “Kurbani”, dhe një gjenerator i kriminalizimit të politikës.
Me dhunën e korrupsionit ka blerë votat, me dhunën e papunësisë ka përzënë shqiptarët nga shtëpitë e veta, me dhunën e varfërisë mban veten në pushtet.
Me dhunën fizike kërkon të hakmerret ndaj opozitës. Llogaritë i ka bërë gabim.



