
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka marrë pjesë në “Konferencën mbi luftën kundër financimit të organizatave terroriste ISIS dhe Al-Kaeda”, e cila po zhvillohet në Paris.
Në fjalën e tij, Xhafaj ilustroi përpjekjet dhe kontributin konkret të Shqipërisë në përballje me fenomenet e terrorizmit dhe radikalizmit.
“Lufta kundër terrorizmit" u shpreh ai, gjatë fjalës "mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë shqiptare".
Pavarësisht përmasave të saj, Shqipëria ka qenë një kontributor i përhershëm, i palodhur në përpjekjet globale të parandalimit dhe përballimit të terrorizmit dhe fenomeneve shoqëruese të tij".
Ministri e konsideroi jetësore një rritje të koordinimit mes shteteve, si dhe bashkëpunimin mes agjencive ligj zbatuese respektive.
Në përfundim, Xhafaj u shpreh i bindur se nuk mund të ketë një Europë të fortë përballë terrorizmit dhe krimit të organizuar pa një Ballkan të përfshirë brenda procesve integruese të BE-së.
Për këtë arsye, tha ai, “ne jemi besimplotë për mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Francës dhe Presidentit Macron në veçanti, ndaj këtij procesi”.
Konferencën e përshëndeti sot edhe Presidenti i Republikës franceze, Emanuel Macron, i cili me këtë rast mbajti dhe një fjalë përmbledhëse mbi punimet e saj.



