Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka prezantoi të martën paketën ligjore kundër ngacmimit seksual në Forcat e Armatosura. Një paketë që vjen në bashkëpunim edhe me PNUD.
Ministrja Xhaçka e cilësoi këtë paketë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe emancipimit të Forcave të Armatosura, duke i shndërruar në një mjedis më të sigurt për të punuar dhe bërë karrierë.
“Kjo paketë përbën një nga gurët e themelit të transformimit të Forcave të Armatosura, për t’i kthyer ato në forcën moderne, të emancipuar. Politikat dhe procedurat kundër ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës në administratën publike kontribuojnë në një mjedis të sigurt pune. Dhuna, ngacmimet seksuale, janë për fat të keq një fenomen që godet edhe forca të armatosura shumë më moderne e shumë më të disiplinuara e profesionale se FA shqiptare. FA sot është një organizatë që ndryshon si nata me ditën nga ato vite. Kemi një forcë moderne, që po evoluon e profesionalizimit nga dita në ditë. Jam krenare të pohoj që trendi i viteve të fundit i përfshirjes së grave dhe vajzave është në kahun e duhur”.
“Sot 18.2% e personelit civil dhe ushtarak në Forcën e Armatosur janë gra e vajza. Kjo paketë është sot një domosdoshmëri. Është një pjesë themelore e përpjekjes sonë për të krijuar një forcë ku gratë e vajzat të ndihen realisht mirë. Çdo grua dhe vajzë që dëshiron të kontribuojë për vendin e saj duke u angazhuar në FA ka nga sot një garanci më tepër, një garanci të të njëjtit nivel si në ushtritë më moderne e të emancipuara të NATO. Sa më takon mua si Ministër i Mbrojtjes, do vijoj përpjekjet dhe angazhimin tim personal në mbrojtje të autoritetit të vajzave dhe grave, si motorri energjik i Forcave tona të Armatosura.”
Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad e vlerësoi këtë paketë edhe si një nxitje më të madhe për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e FA. “Kjo politikë dhe procedurë në luftën kundër ngacmimit seksual dhe ngacmimit të aprovuar nga Ministria e Mbrojtjes dërgon një mesazh të fortë për stafin e ministrisë dhe Forcat e Armatosura, vajzave dhe djemve që aspirojnë të bashkohen me forcat e armatosura”.
Për përfaqësuesen e përhershme të UNDP në Shqipëri, Limya Eltayeb, dokumenti merr rëndësi drejt barazisë gjinore dhe përmirësimit të mjedisit të punës për gratë dhe vajzat.
“Jam shumë e lumtur të prezantojmë ‘Politikat dhe Procedurat kundër ngacmimit dhe ngacmimit seksual’ në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura-një dokument i rëndesishëm që do të zhvillojë më tej një kulturë përgjegjshmëri dhe ndërgjegjësimi rreth kësaj çështjeje mes personelit të këtyre institucioneve dhe do të kontribuojë në një mjedis më të sigurt pune. Ky event organizohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një moment për të reflektuar mbi përparimin e bërë, për të festuar akte kurajoze të ndërmarra nga gratë e zakonshme që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë e më gjerë, dhe për të bërë thirrje për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.”
Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me mbështetjen e UNDP Shqipëri, erdhi në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë, zbatuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA.



