
Në një prononcim për mediat, i pari për ditën e sotme nën kryetari i LSI, Petrit Vasili pranoi rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve, ndërsa u shpreh se PS ka një lloj avantazhi në zonat ku janë numëruar votat deri më tani.
Vasili inkurajoi numëruesit në qendrat e numërimit të votave, ndërsa garantoi se çdo votë e qytetarëve e hedhur në kutitë e votimit do të numërohet.
Siç e dini vazhdon procesi i numërimit, një proces, i cili akoma ka një punë shumë të madhe përpara, pasi mungojnë për t’u numëruar mbi 75 për qind e qendrave të votimit anembanë vendit, kështu që misioni kryesor, detyra kryesore është i komisionerëve dhe në mënyrë të veçantë numëruesve. Numëruesit kanë një rol të jashtëzakonshëm, pasi çdo votë është e pazëvendësueshme, është e ditur dhe e njohur dhe e bërë publike që janë numëruar kryesisht vota në të cilat Partia Socialiste ka një lloj avantazhi në ato zona ku janë numëruar, dhe detyra në mënyrë të veçantë numëruesve bëhet akoma më me përgjegjësi të lartë, pasi pjesa dërrmuese e kutive të votimit, që janë disa mijëra anembanë vendit, kanë të bëjnë kryesisht me ato zona, të cilat kanë një mbështetje të gjerë e të rëndësishme të LSI-së, por edhe të opozitës në tërësi, ndaj duhet mobilizim, çdo gjë është në proces, çdo gjë vazhdon, çdo gjë ka një rëndësi të jashtëzakonshme.



