Partia Demokratike e Lezhës të premten përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë, ndërsa i kërkon zbardhjen e fakteve manipulative të skandalit të votimeve të 30 qershorit në Bashkinë Lezhë.
Përmes një njoftimi të bërë nga PD, bëhet me dije se në padinë penale sqarohet se janë sjellë fakte dhe të dhëna të pakontestueshme të maskaradës së 30 qershorit, duke kërkuar informacion në lidhje me avancimin e hetimeve.
Në kërkesën e saj, PD kërkon të njihet me fazën në të cilën ndodhen hetimet e kryera, si dhe nëse janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale determinante materialet zgjedhore të Qendrave të Votimit.
Ndërkaq, PD dega Lezhë i bën apel Prokurorisë që të jetë profesionale dhe korrekte në hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje.



