
Pas mesazhit të Ambasadës së SHBA në Tiranë që uroi popullin shqiptar për zgjedhjet e 11 majit dhe shprehu vullnetin për të vijuar partneritetin me Shqipërinë, nënkryetari i nismës “Shqipëria Bëhet”, Pano Soko, solli një analizë më të gjerë mbi kuptimin diplomatik të këtij qëndrimi.
Sipas Sokos, politika shqiptare ka pasur një varësi të madhe nga qëndrimet e SHBA, por kjo epokë po ndryshon.
Shoh një varësi të frikshme që ka politika shqiptare nga sjellja amerikane dhe më duket që administrata Trump në qasjen e vet që ka ndaj Balkanit Perëndimor ka ndryshuar.
Ne nuk jemi më në fokusin e Amerikës si më parë. Politika e jashtme e administratës Trump ka zhvendosur prioritetet drejt fuqive të mëdha si Kina dhe Rusia, tregjet ndërkombëtare dhe partneritetet strategjike ekonomike.
Ballkani, përfshirë Shqipërinë, nuk është më pjesë e axhendës së ngushtë të interesit amerikan.
SHBA nuk ka më rolin e arbitrit për politikën shqiptare, siç kishte dekada më parë, dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si trajtohen çështje të rëndësishme si zgjedhjet apo krizat institucionale në Kosovë.
Nuk jemi më në epokën e diplomacisë ku SHBA diktonte drejtimin politik në Shqipëri. Sot, amerikanët nuk ndërhyjnë më kur ndodhin bllokime politike apo tensione. Ata kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e çdo ngërçi në Ballkan. Mesazhi është i qartë: merruni vetë me vendin tuaj.
Sipas Sokos, ndryshe nga periudhat e mëparshme kur ambasadorët amerikanë kishin rol shumë aktiv në zhvillimet politike shqiptare, tani SHBA ndjek një qasje më të tërhequr dhe më të rezervuar, duke ndërhyrë vetëm nëse ka interes të drejtpërdrejtë strategjik.
Jemi mësuar me ambasadorë si Yuri Kim që reagonin për çdo zhvillim, edhe më të voglin.
Kjo administratë është ndryshe, flet më pak, flet ‘gjuhën e drunjtë’, dhe të lë të kuptosh që duhet të rritesh si vend, të marrësh përgjegjësi dhe të zgjidhësh problemet vetë.



