
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit në mbledhjen e grupit parlamentar mbrojti ministrin Fatmir Xhafa duke konfirmuar se nuk do të ketë lëvizje sa i përket zërave për largimin e tij nga kabineti qeveritar.
Kryedemokrati hedh akuza ndaj kryeministrit dhe shprehet se makineria e propagandës dhe e shpërqendrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e radhës të qeverisë.
Me anë të një statusi në rrjetin social "Facebook", Basha akuzon Ramën se ashtu siç bëri më Tahirin, Frrokun apo Rroshin po bën edhe me Fatmir Xhafën.
"Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave. Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë. Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin. Sot ishte radha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambientale, të pamanipuluara!", shkruan Basha.
Basha thotë se Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është ministër i Brendshëm. "Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë", vazhdon më tej Basha.
Kreu i opozitës vazhdon më tej kur thotë se, kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar.
"Ne,- thotë Basha, - as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!".



