
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mblodhur sot në Bruksel në një takim të rëndësishëm, që vjen pas Samitit të Hagës, ku u përcaktuan objektiva të reja në funksion të një vlerësimi realist të mjedisit aktual të sigurisë.
Në këtë takim po merr pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale theksoi se diskutimet janë përqendruar në përshtatjen operacionale të Aleancës, përshpejtimin e proceseve të vendimmarrjes dhe në një shpërndarje më të balancuar të barrës së sigurisë mes aleatëve.
Sipas Vengut, vendimi për dislokimin e operacionit “Arctic Sentry” përreth Groenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme dhe shtrihet nga veriu strategjik deri në Mesdhe.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të pozicionimit të NATO-s në krahun juglindor, duke e cilësuar atë një element thelbësor për stabilitetin e rajonit.
“Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, u shpreh ministri Vengu, duke theksuar angazhimin e vendit në kuadër të Aleancës.



