Referuar rekomandimeve të ODHIR për zgjedhje të lira, Partia Demokratike ka publikuar të premten disa nga propozimet e saj. Përmes këtij drafti, PD kërkon identifikim, votim dhe numërim elektronik. Demokratët besojnë se nëpërmjet këtij votimi synohet sekreti dhe numërimi korrekt i votës.
Identifikimi Elektronik: Me qëllim identifikimin e sigurtë të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme ndërtohet sistemi elektronik i identifikimit në vijim EPB (Electronic Poll Book), i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve.
Sistemi garanton verifikimin e të dhënave të zgjedhësve bazuar në të dhënat biometrike të sistemit të letërnjoftimeve elektronike si dhe listës së zgjedhësve e cila gjenerohet nga regjistri kombëtar i gjendjes civile. Skanimi dhe ruajtja e të dhënave biometrike gjatë procesit të identifikimit garanton që zgjedhësi ka të drejtë të votoje në atë QV ku po identifikohet dhe gjithashtu shërben si provë për verifikimin dhe dënimin e tentativave për të votuar më shumë se një herë si dhe në vend të zgjedhësve të tjerë.
Të dhënat e identifikimit të zgjedhësve ngarkohen të enkriptuara në memorien e pajisjes elektronike të identifikimit EPB nga sistemi qendror, para ditës së zgjedhjeve. Çdo pajisje kur aktivizohet personalizohet për QV me anë të kodeve unike një përdorimshme.
EPB do të mundësojë gjetjen e votuesit në listë duke lexuar kodin MRZ të ID card ose pasaportën biometrike për të gjetur në mënyrë të shpejtë identitetin e votuesit. EPB do të verifikojë nëse zgjedhësit i lejohet të votojë në atë QV:
Nëse është votues në listë që s'ka votuar ende dhe më pas:
do të shfaqë në ekranin e EPB të gjithë të dhënat e identifikimit si dhe foton e votuesit
do të lexoje gjurmët e gishtërinjve të votuesit
do të printojë një kupon verifikimi të procesit të identifikimit
do të sinjalizojë me dritë jeshile të dukshme për të gjithë komisionerët në QV
do të regjistrojë identifikimin dhe të dhënat biometrike në memorien elektronike
Kuponi i printuar do të ketë të gjitha të dhënat e votuesit si edhe foton e tij të sistemit të ID card, në mënyrë që të verifikohet nga çdo anëtar i komisionit nëse shihet e nevojshme para se ai të procedoje me votimin. Kuponat administrohen më pas nga komisioni, në një kuti të veçantë dhe administrohen dhe arkivohen sipas rregullave per administrimin e materialeve zgjedhore.
Nëpërmjet leximit të gjurmëve të gishtërinjve të votuesit zëvendësohet dhe procesi i firmosjes nga votuesit në listat e votimit dhe është provë e identifikimit të votuesit. Gjurmët e gishtërinjve ruhen në pajisje dhe kryqëzimi i të dhënave, i cili do të kryhet në mënyrë të detyrueshme nga KQZ, mbas votimit në sistemin qendror do të mundësojë verifikimin e tentativave të votimit të shumëfishtë apo në emër të zgjedhësve të tjerë. Raste të tilla, në qoftë se do të evidentohen do të referohen menjëherë në Prokurori.
Nëse votuesi nuk është regjistruar të votoje në atë QV
në ekranin e EPB do të shfaqen të dhënat dhe adresa e QV-së ku ai zgjedhësi duhet të shkojë për të votuar
do të sinjalizoje me një dritë të verdhë të dukshme për të gjithë komisionerët në QV, që tregon se votuesi nuk mund të votojë në atë QV.
EPB duhet të printojë një kupon me të dhënat/adresën e QV-së se ku votuesi duhet të shkojë dhe ky kupon i jepet votuesit në fjalë.
Nëse votuesi ka votuar tashmë në atë QV
në ekranin e EPB do të afishohen të dhënat e votuesit dhe ora kur ai është identifikuar se ka votuar në atë QV
do të sinjalizojë me dritë të kuqe të dukshme për të gjithë komisionerët në QV
do të sinjalizoje me një alarm zanor që tregon se ai votues ka votuar më parë
do të printojë gjithashtu një kupon/raport që votuesi përkatës tentoi të votoje dy herë.
do të regjistrojë tentativën në sistemin elektronik
Në përfundim të procedurave të votimit, pajisja do të prodhojë një raport përmbledhës të detajuar lidhur me numrin përfundimtar dhe identitetin e të gjithë votuesve në atë qendër votimi, i cili gjithashtu do të bëhet pjesë e materialit zgjedhor të asaj qendre votimi.
Për sa është parashikuar më sipër, pajisja mund të bashkëjetojë me procedurat aktuale të votimit dhe mund të hyjë në përdorim dhe në të gjithë territorin sepse procedura e vjetër eventualisht mund të përdoret n.q.s. ka probleme.
Pajisja elektronike e identifikimit EPB mund të mundësojë dhe votimin pa dokument identifikimi meqenëse i ka tashmë në memorie të dhënat e zgjedhësve, duke i mundësuar që komisioni të kërkojë zgjedhësin në listë duke i futur të dhënat manualisht.
Pajisja mund të jetë e pajisur me kamera që mundëson dhe foton e zgjedhësit që po identifikohet.
Pajisja mund të regjistrojë në mënyrë unike, të pandryshueshme shenjën e 1,2 gishtave ose dhe të gjithë dorës, duke parandaluar regjistrimin e më shumë se një shenje identifikuese të zgjedhësit, në të njëjtën makineri ose në makineri të ndryshme.
Votimi elektronik
Qendra e votimit duhet të jetë e pajisur me pajisje elektronike votimi ku zgjedhja e subjektit zgjedhor nga votuesi bëhet në ekranin e pajisjes elektronike të votimit (Electronic Voting Machine) EVM ne vijim.
Për të krijuar besim te publiku dhe për të larguar çdo dyshim për identifikimin e votës nuk mund të ketë komunikim apo shkëmbim të dhënash midis EPB dhe EMV. Procesi i identifikimit dhe procesi i votimit elektronik janë tërësisht të ndara prej njeri tjetrit për të bërë të pamundur identifikimin e votës.
Pasi votuesi të jetë identifikuar me anë të EPB, ai vë në dispozicion kuponin e identifikimit përkatës të gjeneruar nga EPB, tek anëtarët e komisionit në mënyrë që të vijohet më pas me votimin.
EVM do të aktivizohet për të lejuar votimin me anë të shtypjes se një butoni nga komisionerët e QV pasi ata të kenë parë/verifikuar se procesi i identifikimit të votuesit u krye dhe pasi kanë administruar kuponin e identifikimit.
Pas aktivizimit, në EVM do të shfaqen në monitorin me ekran me prekje një paraqitje të fletës së votimit të miratuar nga KQZ. Shfaqja e subjekteve në ekran duhet të jetë e qartë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar dhe zgjedhur.
Në rastet kur procesi i votimit ka më shumë se një votim (Zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, referendum etj.) votuesit do ti jepet mundësia me radhë të votojë përkatësisht njëra pas tjetrës.
Votuesi bën zgjedhjen e tij
Votuesit i shfaqet zgjedhja e bërë dhe e konfirmon atë në ekran
EVM printon një kupon të votës përkatëse dhe ky kupon duket nëpërmjet xhamit të pajisjes
Zgjedhësi konfirmon në ekran që kuponi është identik me zgjedhjen në ekran.
EVM printon në kupon një shenje që vota u verifikua dhe e pret kuponin
Kuponi i votës me të dhënat për zgjedhjen e bërë bie në kutinë e ruajtje se kuponave të verifikimit të votave.
Vota regjistrohet e enkriptuar në memorien elektronike
EVM do të ruajë të koduara me enkriptin të shumëfishtë dhe pa referenca kohore të sigurte çdo votë. EVM duhet të ketë siguri fizike me vula sigurie dhe memorie të dyfishtë për ruajtjen e votave elektronike. (çdo votë do të ruhet në dy memorie të veçanta)
Me qëllim shmangien e shit-blerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Votuesit dhe komisioni nuk duhet të kenë akses në pajisje dhe as në kutinë e ruajtjes së kuponave dhe çdo veprim për printimin, prerjen dhe hedhja e kuponëve të votimit do të kryhet automatikisht nga EVM.
EVM do të eliminojë votat e pavlefshme duke parandaluar që një votues të votojë për më shume se një përzgjedhje.
Në fund të procesit mbas inicimit të mbylljes së votimit nga komisioni:
EVM do të përllogarisë rezultatin përfundimtar.
EVM do të printojë procesverbalin e rezultatit përfundimtar të QV-së në aq kopje sa parashikohet në ligj, për tu firmosur nga komisionerët e QV-së.
EVM do të firmosë elektronikisht dhe do të transmetojë të enkriptuar rezultatin në sistemin qendror pranë KQZ-së.
Mbas përmbylljes së procesit pajisjet do të paketohen me kode sigurie dhe do të dërgohen në qendrat e administrimit zgjedhor.
Votat për një numër të caktuar qendrash votimi mund të numërohen në letër për të verifikuar sistemin.
Vota e ruajtur në memorien elektronike të pajisjes është e dhëna parësore për hartimin e rezultatit zgjedhor ndërsa vota e printuar, e depozituar në kuti, ka vlefshmëri ligjore dhe prevalon ndaj votës elektronike, në rast se ka mospërputhje, per qëllime të nxjerrjes së rezultatit zgjedhor ose në procesin ankimor.
Në fund të votimit çdo pajisje prodhon raportet e veta dhe komisioni ka mundësi të verifikojë se sa votues janë identifikuar dhe sa vota janë hedhur.
Sistemi qendror
Sistemi qendror për votimin elektronik do të përfshijë të gjithë infrastrukturën elektronike të nevojshme për të dokumentuar/audituar sigurinë për çdo pajisje identifikimi dhe votimi si dhe për të mundësuar infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e informacionit në çdo nivel të tij.
Përpara çdo procesi votimi, sistemi qendror i votimit do të mundësojë personalizimin e pajisjeve të identifikimit dhe votimit me të dhënat për zgjedhjet dhe zonat përkatëse.
Në fund të procesit sistemi grumbullon të dhënat nga të gjitha zonat dhe nxjerr rezultatin paraprak të votimit.
Mbas procesit të votimit të gjitha pajisjet lidhen me sistemin qendror ( direkt ose memoriet e tyre) për të transferuar votat elektronike në sistemin qendror.



