Pas prishjeve të ndërtimeve pa leje në zonën malore të Thethit, qeveria prezantoi “Paketën e Maleve”. Një paketë e cila u jep mundësi të bëhen pronar edhe ata që nuk kanë tokën e tyre duke e përfituar me 1 euro.
Qeveria ka prezantuar një program të detajuar për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik në zonat malore, përmes asaj që njihet si “Paketa e maleve”.
Ky proces synon të formalizojë posedimin dhe të lehtësojë investimet në këto zona, veçanërisht aty ku ka prona me posedues jopronarë apo potencial të lartë turistik.
Megjithatë, ndërkohë që programi synon zhvillimin e qëndrueshëm, në terren janë evidentuar problematika, siç është rasti i fundit në Theth, ku janë ndërmarrë masa për shembjen e ndërtimeve pa leje në parkun kombëtar.
Kjo ka sjellë debat në opinionin publik, ndërsa autoritetet theksojnë se veprimet janë pjesë e mbrojtjes së zonës dhe rikthimit të rendit ligjor për të mundësuar investime të ligjshme në të ardhmen.
Për të përfituar nga kjo paketë dhe pronësia e tokës me 1 euro, subjektet dhe bashkitë duhet të ndjekin një proces me 11 faza të renditura nga emisioni “FactCheck” në MCN TV:
1. Kërkesa nga bashkitë
-Bashkitë paraqesin kërkesë të argumentuar te Ministri për Pushtetin Vendor.
-Justifikimi duhet të jetë potenciali ekonomik/turistik ose prania e poseduesve jopronarë.
2. Propozimi nga Ministria
-Ministri shqyrton ligjshmërinë e kërkesës.
-Propozon te Këshilli i Ministrave shpalljen e “zonës së zhvillimit”.
3. Miratimi i zonës së zhvillimit
-Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, zona shpallet zyrtarisht si zonë në zhvillim.
-Fillon regjistrimi i pronave nga ASHK.
-Subjektet e interesuara paraqesin kërkesë pranë bashkisë.
4. Evidentimi në terren (30 ditë)
-Bashkia verifikon sipërfaqet e deklaruara.
-Kontrollon gjendjen e posedimit nga subjektet.
-Bashkëpunon me ASHK dhe ATP për informacion shtesë.
5. Vendimmarrja e bashkisë
-Nëse kushtet nuk plotësohen: procedura ndërpritet.
-Nëse plotësohen: publikohet njoftim për 45 ditë me afishim publik.
-Krijohet transparencë për palët e treta për pretendime pronësie.
6. Miratimi nga Këshilli Bashkiak
-Hartohet lista përfundimtare e “poseduesve jopronarë”.
-Përgatiten plani rilevimet.
-Lista miratohet nga Këshilli Bashkiak brenda 30 ditëve.
7. Regjistrimi në ASHK
-Pas miratimit, bëhet kërkesa për regjistrim në ASHK.
-Statusi i poseduesit jopronar pasqyrohet në kartelën e pasurisë.
8. E drejta për leje zhvillimi
-Poseduesi mund të kërkojë leje zhvillimi pranë AZHT.
-Lejet miratohen edhe në mungesë dokumentesh planifikimi.
-KKTU është autoriteti përgjegjës për lejen.
9. Kërkesa për blerjen e pronës me vlerë simbolike
-Pas lejes së zhvillimit, paraqitet kërkesë për blerje me 1 euro.
-Kërkohet:
• Vendimi i Këshillit Bashkiak
• Projekti dhe leja
• Marrëveshja me investitorin (nëse ka)
10. Shqyrtimi dhe kontrata
-Ministria shqyrton kërkesën brenda 30 ditëve.
-Nënshkruhet kontratë shitjeje me kusht: marrja e certifikatës së përdorimit.
11. Leja e ndërtimit
-Pas regjistrimit të kontratës, aplikohet për leje ndërtimi.
-Formalizohet e drejta për zhvillim.
-Fillon investimi në projektin përkatës.



