Në Bruksel ka përfunduar takimi bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell. I pranishëm në këtë takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, tani pritet të nisë takimi tjetër ndërmjet Borrellit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në Twitter. “Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara. Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka thënë se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”. Takimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Kurti, dhe Vuçiç, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.



