
Vendimin për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës e ka përshëndetur edhe Lulzim Basha i cili e ka konsideruar këtë si hapin e duhur për zbardhjen e këtij skandali korruptiv. Ai shpreh mbështetjen e plotë dhe inkurajon institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta. “Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferës së shekullit, e cila u kushton takaspaguesve shqiptarë më shumë se 430 milionë euro. Sekuestrimi i inceneratorit fantazmë të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv. Shpreh mbështetjen e plotë dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, kësaj gangrene që shkatërron vendet e punës dhe mirëqenien e shqiptarëve. Qytetarët shqiptarë presin dhe meritojnë drejtësi, ata e dinë mirë që peshku qelbet nga koka. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka njoftuar se ka sekuestruar inceneratorin e Tiranës. SPAK njofton se është duke hetuar në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Po ashtu mësohet se pronarët “de facto” të inceneratorit janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Sipas njoftimit, Zoto dhe Mërtiri e kanë ndërtuar duke paraqitur fatura fiktive që përllogariten deri në 400 milion lekë. SPAK ka sekuestruar gjithashtu edhe një pasuri me vlerë 1 milion euro në qytetin e Durrësit, e cila zotërohej po nga shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Prokuroria ka dyshime se përvec këtyre dy personave në këtë çështje të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto rezultojnë të përfshirë edhe në inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, ku Prokuroria ka kërkuar deri në 12 vite burg. Në lidhje me inceneratorin e Tiranës, hetimet janë ende në fazën fillestare.



