<p>Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se është e vështirë të gjendet një pasues i denjë i kryepeshkopit Janullatos në Kishën Ortodokse. Milo e vlerësoi atë si një figurë shumëdimensionale që dha kontribute të vyera jo vetëm për komunitetin ortodoks, por edhe më gjerë.</p> <blockquote> <p><em>Është ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë. Largohet nga jeta një nga krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë. Një njeri që shërbeu në krye të këtij komuniteti mbi 33 vite, si asnjë tjetër drejtues komunitetesh fetare në Shqipëri. Është më jetëgjati në historinë e komuniteteve fetare në Shqipëri. Ai ka qenë një personalitet shumë i shquar jo vetëm i ortodoksisë botërore, por edhe një njeri shumëdimensionale, një filozof i shquar me reputacion të madh, njeri me dije të thella kulturore e teologjike, i shquar dhe i mirëpritur n qarqet akademike universitare, një emër i përveçëm i ortodoksisë botërore. Ka qenë nder për komunitetin ortodoks që e ka pasur në krye për 33 vite. Nuk vijnë njerëz të tillë rastësisht dhe është shumë e vështirë të zëvendësohen. Është vështirë që për Janullatosin të gjendet një i dytë. Ai nuk është vetëm një kryepeshkop, por një filozof i mirëfilltë dhe këtë e ka dëshmuar. </em></p> </blockquote> <p>Milo analizoi edhe krahasimet që i janë bërë atij me Fan Nolin.</p> <blockquote> <p><em>Duan të ngatërrojnë figurën e Nolit me Janullatosin. Noli ka meritat e pazëvendësueshme në themelimin e Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ai ka kontribut në shumë fusha të tjera. Ka meritë pikërisht për atë që bëri në fushën e ortodoksisë. Janullatos ishte kryepeshkop i kishës së Shqipërisë, e cila u bë autoqefale në Kongresin e Beratit 1922, ku u shpreh vullneti i ortodoksve shqiptarë për të krijuar kishën e tyre autoqefale. Kemi të bëjmë me dy figura me role të rëndësishme dhe të dallueshme. Kush i ngatërron këto e ka ose nga mungesa e njohjes për ngjarjet ose e bën me dashje. Nuk ka pse njëri t’i bëjë hije tjetrit. </em></p> </blockquote>



