
Qeveria shqiptare ka hartuar një projekt-ligj për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta për ndërveprimet ndërmjet zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.
Iniciativa është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për avancimin e negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të Grupkapitullit “Themeloret” dhe Pozicionit të Përbashkët Negociues të BE-së për Shqipërinë.
Projekt-ligji “Për lobimin” synon të rregullojë marrëdhëniet midis bizneseve, organizatave të shoqërisë civile, grupeve ekspertësh dhe vendimmarrësve publikë, duke garantuar që proceset e politikëbërjes të jenë transparente, të gjurmueshme dhe të llogaridhënshme.
Sipas autoriteteve, ky instrument ligjor pritet të forcojë besimin e qytetarëve dhe institucioneve në vendimmarrjen publike dhe të krijojë një kuadër të qartë ligjor për ndërveprim profesional dhe etik midis sektorit privat dhe qeverisës.
Përcaktohet qartë një kuadër i qartë rregullash për ushtrimin e veprimtarisë së ndikimit në proceset publike të vendimmarrjes, duke parashikuar detyrimin për regjistrim të çdo individi apo subjekti juridik që angazhohet në lobim, si dhe deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj.
Nëpërmjet këtij projektligji do të vendoset detyrimi për raportim të saktë dhe të rregullt mbi aktivitetet e lobimit, respektimi i Kodit të Sjelljes dhe të parimeve etike profesionale, si dhe deklarimi i konfliktit të interesit duke e kthyer lobimin në një proces të ligjshëm, të hapur dhe në shërbim të interesit publik.
Në thelb të kësaj nisme qëndron parimi i transparencës dhe parandalimit të korrupsionit.
Përmes regjistrit publik të lobimit, çdo kontakt, kontratë apo shpenzim lobimi do të jetë i deklaruar dhe i verifikueshëm, duke e bërë të mundur gjurmimin e burimeve të ndikimit dhe të interesave të përfaqësuara.
Projekt-ligji vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë që zhvillojnë takime apo komunikime me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.
Ky proces reformues do të ndihmojë jo vetëm në krijimin e një mjedisi më transparent për funksionet publike, por edhe në forcimin e standardeve të besueshmërisë institucionale, që përbëjnë një shtyllë thelbësore të procesit të integrimit evropian, duke mundësuar kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt forcimit të integritetit publik dhe konsolidimit të mirëqeverisjes.
Miratimi i këtij projektligji do ta pozicionojë vendin tonë në një linjë të qartë përafrimi me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur, transparencën dhe integritetin publik.



