
Akuzave të anëtares së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Tim Kadrijaj, e cila i referohej deklaratës së një banori të Deçanit i cili dyshohet se pa "dy serbë të dyshimtë" në atë vend para se të shpërthente afera për helmimin e pretenduar të ujit, i është përgjigjur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ajo çka shton më shumë dyshimet është se pronari i një restoranti, 500 metra në rrugë larg këtyre pikave të ujit, tha se më 27 qershor ka parë dy serbë.
Sipas pronarit, ata kishin një sjellje të çuditshme e të dyshimtë dhe për këtë arsye ai kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe iu kishte dërguar pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata.
Lidhur me këto hipoteza se në këtë helmim mund të kenë gisht dy vizitorët nga Novi Sadi, Vuçiç, tha se e kanë analizuar praninë e dy serbëve diku rreth burimit të ujit në Deçan, i cili u dyshua të jetë shkaku i helmimeve.
“Ne kemi një analizë të lëvizjes së automjetit me targa Novi Sadit, ata nuk ishin as 500 metra nga burimi i ujit. Ne po presim të shohim se çfarë do të thonë. Ne po presim, po dëgjojmë”, tha Vuçiç, lidhur me rastin, raporton B92.
Mbi 1.500 banorë të fshatrave të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke shfaqur simptoma të helmimit.
Uji i pijes ishte dyshimi i parë për helmimin e tyre, por analizat fillestare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se uji nuk është burimi i helmimit.



