
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot një letër nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në të cilën është potencuar çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Letra e dërguar për Osmanin nga Von der Leyen, thekson “konfirmimin e angazhimit të KE-së për avokim në drejtim të marrjes së një vendimi pozitiv nga Bashkimi Evropian për këtë çështje”, thuhet në njoftimin për media nga Presidenca e Kosovës.
Von der Leyen po ashtu ka theksuar edhe rëndësinë e reformave dhe procesit të dialogut.
Në letër, më tej thuhet se “perspektiva kredibile e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet i Komisionit Evropian, duke potencuar edhe pritshmërinë për një bashkëpunim në thellimin e marrëdhënieve me BE-në”.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon që nuk e ka liberalizimin e vizave.
Më 25 mars të këtij viti raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka bërë të ditur se shumica dërmuese e Parlamentit Evropian e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën me rastin e votimit të raportit për Kosovën.



