Paraditen e sotme ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka shkuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla në zyrë ku ka zhvilluar një takim që ka zgjatur rreth 30 minuta.
Pas takimit, me anë të një postimi në Twitter, ambasadorja Kim bën me dije se e ka uruar Nikollën për zgjedhjen si kryetare e parlamentit, teksa flet për një parlament tashmë me forcë të plotë.
Ishte kënaqësi të uroja Lindita Nikolla për zgjedhjen si Kryetare e Parlamentit. Më vjen mirë që Parlamenti u kthye me forcën e plotë, me opozitën të pranishme dhe duke folur hapur. Respektimi i diversitetit të pikëpamjeve, debati civil dhe bashkëpunimi aty ku është e mundur janë thelbësore për demokracinë dhe llogaridhënien para votuesve.
Takimi vjen pak orë pas votimit të qeverisë “Rama 3” nga Kuvendi. Seanca maratonë zgjati rreth 20 orë dhe në fund, mëngjesin e sotëm qeveria u votua me 77 vota, 53 kundër dhe 1 abstenim.
Në këtë mënyrë, Kryeministri Rama mori votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës.
Rama ia bëri të qartë opozitës se e kanë të shtrirë dorën e bashkëpunimit, megjithatë i bëri të qartë që për reforma të rëndësishme, si ajo territoriale apo zgjedhore nëse nuk do kenë disponimin e opozitës, atëherë ata do të zbresin në terren me popullin.




