
Pas protestës që u zhvillua sot para Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione, banorët e Unazës së Re janë mbledhur sërish duke bllokuar rrugën, por këtë herë tek Astiri që kërkojnë dëmshpërblim nga projekti i segmentit rrugor nga Pallati me Shigjeta deri te rrethrotullimi te Shqiponja.
Por banorët nuk kanë qenë vetëm, pasi në mbështetje të kësaj proteste ka shkuar edhe lideri i PD-së Lulzim Basha, i cili i ka treguar mbështetje që nga dita e parë duke thënë se ky projekt është korruptiv dhe me qëllime klienteliste.
Banorët e Unazës së re kanë nisur bllokimin e rrugës me kërkesën e tyre të qartë, atë të dëmshpërblimit 100% për prishjen e banesave të tyre.
Basha akuzoi Ramën se po përdor policinë dhe propagandën për të mbuluar vjedhjen 40 milionë euro me projektin e Unazës së Madhe.
"Njeriu që frymëzoi dhunën me gjuhën e tij të konfliktit, me sharjet raciste ndaj qytetarëve është kryeministri i vendit. Edi Rama mban përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj banorëve që po protestonin para Kuvendit. Ai mban përgjegjësi dhe do ta paguajë shtrenjtë dhunën që ka shkaktuar disa viktima mes banorëve, gra me brinjë të thyera, zonja me shtyllën kurrizore të shembur, ai do të paguajë edhe për gishtat e polices së plagosur në detyrë. Ky njeri i papërgjegjshëm për vjedhjen 40 milionë euro po përdor sot për të mbuluar vjedhjen 40 milionë euro dy faktorë, policinë që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të zbatuar ligjin dhe ligji është me këta qytetarë", tha Basha.
Basha foli edhe për vijat e kuqe të vendosura nga kryeministri duke thënë se ai nuk njeh vija të kuqe, "njeh vetëm vija të bardha, ato që merr me hundë". Dhe sipas kreut demokrat, kryeministri Rama do të paguajë shtrenjtë për çdo gjë që ka ndodhur sot.



