Ish-kandidatja për bashkinë e Tiranës Lajla Përnaska e konsideroi Lulzim Bashën si një politikan me nivel të lartë pabesueshmërie. Duke folur në emisionin “Stay Tuned” ajo theksoi se Basha iu imponua demokratëve nga Berisha. “Është një politikan relativisht me përvojë, është një politikan i vjetër tashmë. S’kam qenë dakord me shumë aspekte se si e ka drejtuar PD-në. Ai ka një nivel shumë të lartë pabesueshmërie, jo vetëm brenda strukturave të PD, por edhe jashtë, në mënyrën si e ka bërë karrierën politike. Ne na u imponua në një farë mënyrë z.Basha nga z.Berisha edhe për ta mbështetur. Unë e kam mbështetur me idenë që po vinte një figurë nga një brez i ri që do bënte ndryshime në drejtimin e PD. Kam zhgënjimet e mia për mënyrës i u drejtua bashkia nga z.Basha”, tha Përnaska. E pyetur mbi rikthimin e mundshëm të Bashës si kryetar të PD-së zyrtare, Përnaska thotë: “E quaj, pa dashur të hyj në procedurat statutore sepse janë bërë të lodhshme për publikun, besoj që një kryetar që ka shënuar disa humbje radhazi në radhë të parë duhet të mbajë përgjegjësi. Ne këtë kemi vuajtur që liderët tanë s’mbajnë përgjegjësi. S’ka gjasa të ketë garë reale. Derisa s’ka garë zgjedhjet quhen të mbaruara”.



