
130 djem e vajza janë kandidatët më të rinj për oficerë në Forcat e Armatosura. Për 9 javë ata do të jenë pjesë e Stërvitjes Individuale Bazë, në Shkollën e Trupës në Bunavi të Vlorës.
Në ceremonë e përcjelljes së rekrutëve të rinj, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vlerësoi numrin në rritje të vajzave dhe e të rinjve me arsim të lartë, të cilët kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur për të të qenë së shpejti pjesë e Forcave të Armatosura.
“Si ministre e Mbrojtjes do të doja ta përmirësoja akoma më shumë raportin gjinor në favor të vajzave. Sot vlerësoj prirjen e rritjes së këtij numri dhe kërkoj që kjo të kihet parasysh në vazhdimësi. Nga ana tjetër, fakti që për statusin e ushtarakëve të rinj aplikojnë dhe vajza dhe djem me arsim të lartë, na bën të gjithëve shpresplotë se niveli intelektual dhe ai i profesionistëve në ushtrinë tonë do të jete gjithmone edhe më i garantuar. Për këto nevojitet padiskutim që testimet në çdo faze të tyre të kryehen me shumë rregullsi, me shumë seriozitet, me disiplinë dhje transparencë të lartë”, tha Ministrja Xhaçka në fjalën e saj.
Në cilësinë e Ministres së Mbrojtjes, ajo siguroi të rinjtë dhe familjarët e tyre se do të gjenden pranë në rrugëtimin e bukur dhe plot sfida.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm do t’ju gjenden pranë për përmirësimin e vazhdueshëm të infstrukturës dhe bazës materiale për tu interesuar për vështirësitë e shfaqur në praktikën e përditshme të punës suaj. Ju siguroj se bashkë me gjithë efektivin e FA do të jemi krah jush për t’i shkuar deri në fund dhe me sukses detyrave tuaja, pjesë e kësaj saj rruge të bukur por me plot vështirësi, kufizime, që sapo keni hyrë. Të gjithë bashkë po punojmë që karriera juaj e sapo nisur, sikundër edhe e gjithë efektivëve të FA të vlerësohet dhe të promovohet, në bazë të meritave dhe performancës të treguara gjatë punës. Reforma që kemi nisur do t’i krijojë mundësi të gjithëve që të shprehin sa më mirë nivelin e përgatitjes profesionale në shërbim të FA por dhe të rrisin nivelin profesional në përgjithësi të FA, për rrjedhojë edhe cilësinë e realizmit të detyrave të përbashkëta”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes.



