
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të DASH për të shpallur “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Balla përshëndet vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që shpall Sali Beriahën dhe të afërmit e familjes së tij të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
“Përshëndes vendimin e shteteve të bashkuara të Amerikës ndaj Sali Berishës: Aktet e korruptuara të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Po e shpall Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij si të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, thotë Balla duke cituar DASH.
Në njoftimin e vendimit për të shpallur 'non grata' Sali Berishën, Sekretari amerikan i Shtetit thotë se Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.



