Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka për tenderin e ushqimit.
Në një dalje për mediat, nga selia e PD, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se Rama dhe Xhacka nuk bënë transparencë pse i dhanë tenderin e ushqimeve një kompanie kompjuterash në Maqedoni.
Ndërkohë deklaratat e ministres, PD i konsideron si një gjuhë urrejtje ndaj opozitës, por edhe kjo sipas Aliebajt nuk i mbulon abuzimet.
“Asnjë sulm me gjuhë urrejtje dhe asnjë shpifje kundër opozitës që po mbron interesat e shqiptarëve, nuk mbulon apo justifikon abuzimet me paratë e shqiptarëve në këtë kohë lufte”, citohet nga deklarata.
Sipas tij, Rama dhe Xhaçka e kanë për detyrë t’u përgjigjen pronarëve të 1,5 milonë eurove, që jane taksapaguesit shqiptarë:
1. Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia?
2. Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit?
3. Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë?
Ai thekson se vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar.
“SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje”, citohet nga deklarata.



