
Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se mënyra se si u trajtua incidenti gjatë konferencës për media është për keqardhje.
Përmes një komunikate për media, presidenca ka thënë se kjo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.
Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës.
Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.
Në reagimin e tyre thuhet se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar se nuk ka kërkuar ndonjëherë shkelje të procedurave, por ka kërkuar vetëm respektimin e rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.
Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.”
Presidenca ka kërkuar që të njoftohet për masat që do të ndërmerren për këto shkelje, siç është theksuar në notën e protestës të dërguar nga Republika e Kosovës.
Sipas Presidencës, situata është e lehtë për t’u zgjidhur nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Hristjan Mickoski, u shpreh se Kosova nuk ka qëndrim se incidenti i presidentes, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, është cilësuar si provokim.



