Gazetari Mariglen Kume, në një lidhje për MCN Live, ka folur për protestën e paralajmëruar të Partisë Demokratike që pritet të zhvillohet nesër në orën 19:00, duke e përshkruar atë si një tubim me karakter më shumë lëvizës sesa të qëndrueshëm.
Sipas tij, “do jetë kryesisht një protestë me një apo dy fjalime nga lideri i PD dhe më pas do shohim skenarët e parë tashmë me fishekzjarrë dhe molotov drejt kryeministrisë”.
Kume theksoi se protesta nuk është parashikuar të jetë statike, por një marshim në disa pika të qytetit.
Protesta e nesërme në orën 19:00 pritet të jetë e lëvizshme, ku është menduar që turma e protestuesve të bëjë një marshim nëpër institucionet që janë përfshirë nga skandalet e korrupsionit.
Ai shtoi se organizatorët synojnë të përfshijnë edhe qytetarë pa bindje partiake, duke e lidhur protestën me shqetësime ekonomike.
Pra protesta nuk është parashikuar të jetë një protestë e qëndrueshme, do të ketë një marshim ku pretendohet nga ana e organizatorëve që asaj t’i bashkohen dhe qytetarët që nuk kanë bindje partiake, por që ndjejnë rritjen e çmimit të karburantit dhe rritjen zinxhir të çdo gjëje që preket drejtpërdrejt nga kjo rritje.
Sipas tij, PD synon të tërheqë edhe të ashtuquajturën “shtresë gri” të shoqërisë, përtej mbështetësve të saj tradicionalë.
Në këtë kontekst PD pretendon të ketë shtresën gri në protestë përveç simpatizantëve, por vlerësojnë se duhet të protestojnë.



