Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të zhvillojë një raund të ri takimesh me liderët e partive opozitare, në një përpjekje për të arritur një zgjidhje për bllokadën politike që ka përfshirë vendin.
Pas tentativave të mëparshme për t’i mbledhur liderët së bashku, Osmani ka vendosur t’i takojë ata ndaras këtë herë, në një përpjekje për të krijuar mundësi më të mira për marrëveshje.
Presidentja Osmani do të nis ditën me një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurtin. Takimi me Kurtin është caktuar të mbahet në orën 10:00.
Pas kësaj, Osmani do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, në ora 13:30.
Takimi i tretë do të zhvillohet në ora 14:45 me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ndërsa takimi i fundit për ditën e sotme është caktuar për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në ora 16:00.
Takimet e liderëve të partive të komuniteteve pakicë, përfshirë deputeten Duda Balja nga komuniteti boshnjak, do të zhvillohen një ditë më pas.
Përpjekjet e presidentes Osmani për të ndërmjetësuar dhe për të dalë nga kriza politike kanë filluar më 15 maj, kur ajo kishte mbajtur një takim të përbashkët me liderët e partive.
Pas atij takimi, Osmani kishte lavdëruar liderët për qasjen e tyre konstruktive, pavarësisht se kishin qëndrime të ndryshme për shumicën e temave të diskutuara.
Presidentja Osmani gjithashtu kishte paralajmëruar se nëse është e nevojshme, do të zhvillonte edhe takime të tjera me liderët dhe se mund t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për sqarime të mëtejshme në lidhje me çështjet e hapura.
Akoma nuk është e qartë nëse këto takime të fundit do të sjellin ndonjë ndryshim të rëndësishëm në situatën politike, por mbetet për t'u parë si do të reagojnë palët dhe si do të zhvillohet ky proces në ditët në vijim.



