
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj paralajmëroi se do të ketë goditje të grupeve kriminale në Fier dhe në Lushnjë, ndërsa nënvizoi se deri më tani janë goditur 7 grupe kriminale nga operacioni "Forca e Ligjit". Në aktivitetin “Forumi Qytetar për Sigurinë Publike” se bashku me kryeministrin Edi Rama, Xhafaj theksoi se për qeverinë ka qenë dhe mbetet prioritet lufta kundër krimit të organizuar.
"Jo vetëm ndëshkimin penal të tyre, por dhe goditjen e pasurive kriminale që këto grupe kanë vendosur. Nga njëra anë ndëshkimi penal i tyre dhe nga ana tjetër heqja e bazës ekonomike. Jemi të vendosur për luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni. Deri më tani kemi goditur 7 grupe kriminale. Ky është një problem që nuk është vetëm në disa pjesë të territorit sigurisht, por në Fier dhe Lushnje gjithashtu ka disa probleme të kësaj natyre. Ka disa element, ka disa individë, por edhe grupe kriminale të cilët kanë guxuar të përballen jo në pak raste edhe me policinë. Ne jemi të angazhuar fort sëbashku me Prokurorinë në një proces hetimi ndaj këtyre grupeve kriminale", tha Xhafaj.
Ministri Xhafaj deklaroi se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete edhe në Fier edhe në Lushnje ku ka dukuri të kësaj natyre.
Xhafaj deklaroi se jemi të angazhuar fort edhe në një betejë pa kompromis me fenomenin e kanabisit, duke theksuar se jemi të vendosur që edhe gjatë këtij viti ky fenomen të mos përsëritet më. Por për këtë kërkojmë edhe mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj.



