
Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, përmes një vendimi të firmosur nga presidenti William Ruto, i cili tashmë është dorëzuar zyrtarisht në Presidencë.
Lajmin e konfirmoi presidentja Vjosa Osmani, e cila e cilësoi këtë akt si dëshmi të fuqishme të mbështetjes së Kenias për lirinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Njohja e Kenias është një njohje e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri dhe drejtësi.
Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, i shpreh falënderime të sinqerta Presidentit Ruto për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap diplomatik.
Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit ka zhvilluar takime të rëndësishme me presidentin Ruto, ku njohja e Kosovës ka qenë një nga temat kryesore të diskutimeve.
“Presidenti Ruto vazhdimisht ka siguruar popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejt, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, shtoi ajo.
Një falënderim të veçantë, Osmani e ka shprehur edhe për ish-presidentin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, për angazhimin e tij në këtë proces.
Osmani bëri të ditur se shumë shpejt pritet vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe ndërtimi i një partneriteti të fortë dhe afatgjatë.
Në vitet e fundit ka pasur një rënie të ritmit të njohjeve dhe shteti i fundit që e njohu Kosovën ishte Izraeli, në vitin 2021.



