
Partia Demokratike denoncoi sot propozimin për dhënien e një titulli të veçantë nga Bashkia e Hasit. Sipas deputetit Flamur Noka, kryebashkiaku ka propozuar dhënien e titullit Qytetar Nderi për atentatorin e Azem Hajdarit.
Në një dalje për mediat nga selia blu, Noka tha se PD disponon vendimin ku ish-deputeti i PS-së, Gafur Mazreku, propozohet të nderohet me titullin më të lartë që jep pushteti vendor.
“Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori deputet i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafur Mazreku, propozohet nga Edi Rama për t’i dhënë titullin Qytetar Nderi i Hasit. Partia Demokratike disponon propozimin që kryetari i bashkisë së Hasit i ka bërë këshillit baskiak për të nderuar një vrasës si Gafur Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal”, tha Noka.
Deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit Rama të tërheqë vendimin që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, e parashikuar për të hënën.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në shtator 1997, pas një debati që Mazreku dhe Hajdari patën në sallën e Kuvendit. Debati degjeneroi në dhunë e më pas në përdorimin e armës. Mazreku e qëlloi tre herë me pistoletë deputetin Hajdari, por ai ia doli të mbijetojë.
Mazreku u dënua me 8 vjet heqje lirie nga Gjykata e Apelit, por vuajti vetëm 5 vjet te dënimit pasi përfitoi nga aminstia.
Gafur Mazreku është ndarë nga jeta disa vite më parë për shkak të një sëmundjeje.



