
Pas rikonfirmit në detyrë të gjyqtarit Ardian Dvorani, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike e cila është shprehur se fshehja e 100 milionë lekëve nga Dvorani nuk ishte fakt i mjaftueshëm për organin e vettingut që ta shkarkonte shërbëtorin e Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që, në raste të tjera, me të drejtë, vettingu ka shkarkuar gjyqtarë për 3 milionë lekë të vjetra të padeklaruara.
PD deklaron se konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani është vula për të konkluduar se procesi i vetingut është fals.
"Organi i vettingut nuk po funksionon si i pavarur, por në shërbim të Edi Ramës, për të lënë në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe shërbëtorë politikë të Edi Ramës", nënvizoi Alibeaj duke shtuar se PD e paralajmëroi "vendimin politik" për Ardian Dvoranin.
Në një prononcim nga selia blu, deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se PD e konsideron lajm të keq konfirmimin në detyrë të atij që e quajti "shërbëtor i Edi Ramës" dhe "mik i Fatmir Xhafës dhe theksoi se, "ajo çfarë mbetet e pasqaruar nga procedura e verifikimit të vettingut të Ardian Dvoranit është, nëse miku i familjes së Fatmir Xhafajt, ka patur ndonjë kontakt me Agron Xhafajn dhe a i ka shërbyer ndonjëherë vëllait të Ministrit të Brendshëm dhe bandës së tij të trafikut ndërkombëtar të drogës?".
Sipas Alibeajt, Partia Demokratike po ndjek me vëmendje çdo veprim të organeve të vettingut dhe ne do të bëjmë publik çdo rast ku vërtetohet konfirmimi në detyrë i gjyqtarëve të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar apo shërbëtorë të Edi Ramës.
Kjo është hera e dytë që me dalje publike PD akuzon Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se po zbaton standarde të dyfishta për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbëjnë Edi Ramës. PD i referohet rastit te gjyqtarit Ardian Dvorani.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon sot në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani.
Një ditë më parë kaloi me sukses vetingun edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.



