
Pas akuzave të Partisë Demokratike, se nuk është vetëm Ministria e Arsimit që urdhëron mësuesit t’u marrin prindërve të dhënat personale, por është edhe një tjetër ministri, ka reaguar Ministria e Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas deputetit demokrat Bardh Spahia, Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një email të njëjtë me atë të Arsimit, ku urdhëron mjekët të mbledhin të dhënat personale të pacientëve në qendrat shëndetësore.
Por nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se kërkesa për plotësimin e të dhënave nga strukturat shëndetësore për përfituesit e shërbimeve shëndetësore, ka si qëllim vendosjen e një standardi të ri, që rrit transparencën dhe llogaridhënien, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
“Në reagim të deklaratës së PD, MSH thekson se “përkundër spekulimit politik të radhës të opozitës, ky proçes nuk ka asnjë qëllim tjetër, veç plotësimit të databazës ekzistuese të të dhënave shëndetësore për pacientët, një standard ndërkombëtar për çdo sistem shëndetësor”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i sjell në vëmendje opozitës, në rastin më të mirë, të paditur, se me reformën e deregulimit që ka ndërmarrë qeveria, karta e identitetit ka zëvendësuar kartën e shëndetit ndaj përmes NID identifikohet qytetari për kategorinë shëndetësore që i përket dhe shërbimet që përfiton në të gjithë sistemin tonë shëndetësor.
"Programi i shëndetësisë elektronike është një proçes që nuk do të ndalet pasi rrit transparencën, shmang abuzimet dhe lehtëson qytetarët nga burokracitë në marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi.
Përdorimi i të dhënave personale mbrohet me ligj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton mbrojtjen e këtyre të dhënave”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Por deputeti Spahia, në dalje për mediat nga selia blu, tha se i njëjti skandal është shtrirë dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ai tha se mjekët urdhërohen që pacientëve tu marrin të dhënat personale nga numri i kartës së identitetit, telefonit dhe emailit.
"Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një email të njëjtë me atë te Ministrisë së Arsimit, ku urdhëron mjekët të mbledhin të dhënat personale të pacientëve në qendrat shëndetësore. Skandali këtë herë është i provuar së shkon deri në zyrën e Edi Ramës, pasi në emailin e shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se “plotësimi i bazës së të dhënave me informacionet private të pacientëve bëhet sipas kërkesës së ardhur nga Zyra e Kryeministrit”.Njësoj si në rastin e Ministrisë se Arsimit, edhe këtu kërkohet që operacioni të kryhet me urgjencë dhe Ministria e Shëndetësisë t’i disponojë të dhënat brenda këtij muaji", tha demokrati.



