Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Lezhës ku do të zhvillojë mbledhjen e radhës së qeverisë.
Lezha është qyteti i radhës ku zhvillohet mbledhja e qeverisë, e para për vitin 2018. Mbledhja do të nisë ditën e premte, për të vijuar edhe me takime ditën e shtunë.
Kabineti qeveritar do të vijojë të qëndrojë gjatë ditës së shtunë në qarkun e Lezhës, ku janë parashikuar një sërë takimesh me qytetarët, grupet e interesit, drejtues të pushtetit lokal, por dhe inspektime në investimet e qeverisë.
Gjatë këtij takimi, katër janë temat kryesore ku përveç reformës së ujit e paralajmëruar se do të nisë më 1 shkurt të këtij viti, do të diskutohet edhe turizmi dhe zhvillimit i agroturizmit, shërbimet si dhe Viti i Skënderbeut.
Por në kohën kur në Lezhë po zhvillohet mbledhja e parë e qeverisë ‘Rama 2’ për këtë vit, jashtë godinës ku janë ministrat po zhvillohet një protestë.
Protesta është organizuar nga banorët e Torovicës, të cilët mësohet se kanë pasur një komunikim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolli, deputete në qarkun e Lezhës.



