
Në një dalje para mediave sot në mesditë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, foli për protestën që opozita ka paralajmëruar për në datën 27 janar. Kryemadhi tha se protesta do të jetë paqësore, ndërsa rikujtoi 21 janarin e 2011-s si modelin e një proteste të dhunshme. Ajo akuzoi kreun e qeverisë, Rama, se i ka varfëruar shqiptarët dhe tani përpiqet t’i blejë me paratë e drogës.
“Shqiptarët janë aq të lodhur dhe aq të zhgënjyer me klasën politike dhe protesta e 27 janarit do të jetë një protestë paqësore ku të gjithë shqiptarët që janë të pashpresë, që janë të papunë, i ftojmë të protestojnë me prezencën tonë. Edhe pse ai kërkon të blejë varfërinë me paratë e drogës, shpirtin nuk ua blen dot. Në imazhin e shqiptarëve është krijuar ideja e protestave të dhunshme, dhunën e solli Rama në 21 janar”, tha ajo.
Lidhur me protestën që PD dhe LSI do të mbajnë më 27 janar, Kryemadhi tha se policia nuk duhet t’i provokojë qytetarët.
“Protesta e dhjetorit ishte paqësore. Policia dhunoi disa gra dhe vajza. Dhuna nuk është nga njëra anë, dhuna është kush e provokon dhe policia duhet të jetë e kujdesshme të mos provokojë qytetarët. Rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë janë jo vetëm për të ecur por edhe për të protestuar, në një vend demokratik siç pretendojmë që jemi”, tha Kryemadhi.



