
Me tone të ashpra, kërcënuese, Presidenti Meta ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si mashtrues i shqiptarëve duke shpifur ndaj Presidentit.
Duke e cilësuar si lepur përpallë presidentit, Meta tha se Ramës, kriminelët i vënë armën dhe i marrin licencat.
Meta tha se edhe pse Rama hiqet si mbrojtësi i drejtësisë, në fakt është ai që ka mbledhur 140 vota për miratimin e saj dhe këtë e di e gjithë bota.
"Rama mashtron duke shpifur kundër presidentit. O Karagjos e di e gjithë bota që 140 votat për reformën në drejtësi i bëra unë. Ça di për Ilir Metën ti more vagabond, që thua ti, di unë shumë për Ilir Metën, ti para Ilir Metës sillesh si lepur. Kriminelet të vënë pistoletën dhe të marrin licenca. S’ka më vota socialiste për ty, se i ke braktisur me kohë. Nuk e ndryshon dot ti rezultatin e votës", u shpreh Meta.
Në fund të fjalës së tij Meta paralajmëroi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që të distancohet nga urdhërat e qeverisë. Meta tha se Rama nuk do e mbrojë dot, prandaj duhet ta marrë seriozisht situatën.
“Ky është burimi i tensionit në Shqipëri; Edi Rama. Do të blejë edhe njëherë votat. I tha Damianit duam tërmet edhe në Vlorë. Provojë tërmetin! I bëj thirrje ndërkombëtarëve që të jenë më parimorë dhe të reagojnë në kohë. Nëse nuk do kishim toleruar shkeljen e 5 qershorit, situata do të kishte qenë më e mirë. Nuk do kishte ndodhur plagosja në Kavajë. Nëse do kishin reaguar dhe të dënonin sulmin, nuk do të kishte ndodhur as vrasja në Elbasan.
Ardi Veliu ta marrë seriozisht se Edi Rama nuk të mbron dot. Nuk mbron dot veten. Do thotë isha i çmendur. Do na e vërë ne fajin. Do të ketë ligj special. Lufta kundër korrupsionit do të jetë e pamëshirshme. Do t’i çoj letrat për të gjitha. Unë jam plot besim se Shqipëria do thotë fjalën e saj si asnjëherë tjetër. Rama të reflektojë sa nuk është vonë. Tani kam një takim me misionin e OSBE-së. Do të flasim përsëri”, tha Meta.



