
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, përmes një deklarate për mediat, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me situatën e krijuar dy ditët e fundit në disa KZAZ të vendit.
OSBE dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri.
“Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Ndërkohë, në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita të premten, OSBE u bën apel organizatorëve të garatojnë një protestë paqësore.



