
Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nënshkruan marrëveshjen zyrtare për hyrjen e Alternativës në Qeveri. Ndër të tjera kryeministri Zaev tha se kjo marrëveshje nënshkruhet për të pasur një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, bisedimet me Bullgarinë dhe për të vazhduar luftën kundër Covid-19.
Pas marrëveshjes zyrtare mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, për hyrjen në Qeveri të kësaj të fundit, Zaevi tha se Alternativës i janë besuar tre ministri, tre zëvendësministri dhe shumë Institucione dhe agjenci të vendit.
Më konkretisht i janë besuar këto institucione:
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shoqërisë Informatike
Ministria e Diasporës, pa resor
Gjithashtu i janë besuar edhe 3 zëvendësministri:
Zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës
Zëvendësministrin e Kulturës
Zëvendësministrin e Bujqësisë
Institucionet më të rëndësishme i janë dhënë këto:
MEPSO, Fondi Pensional dhe Invalidor, Hekurudhat e Maqedonisë, Klinika e Tetovës, Agjencia e Investimeve të Huaja dhe rreth 40 të tjera.
Kryetari i Alternatives, Afrim Gashi, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se shumica parlamentare është rritur me katër deputetë dhe se ka arritur në 64 deputetë. Ai tha se vendimi është marrë me synimin për të dalë nga kriza ekonomike, energjetike dhe shëndetësia. Gashi tha se nuk ka qenë e lehtë për Alternativën të marrë këtë vendim, por kanë menduar në të mirë të qytetarëve.
Kryetari i Alternativës, i pyetur se pse vetëm para dy muajsh para se të vendosnin për të hyrë në qeveri e kishin sharë dhe akuzuar fortë këtë qeveri, duke thënë se duhet të bjerë qeveria e korruptuar e Zoran Zaevit dhe e Ali Ahmetit. Ai u përgjigj se ai si kryetar i Alternativës dhe eksponentë të tjerë zyrtare nuk e kanë sharë këtë qeveri, por se kanë pasur vërejtjet e tyre.
Ne nuk e kemi sharë dhe nuk kemi përdorur fjalë të ndyta kundër kësaj qeverie. Nuk mendoj se kjo qeveri nuk është më e mira, por ne do të bëjmë tani më të mirën për të përmirësuar atë. Ai tha se ishin përballe dy fakteve, ose të shkonin në zgjedhje ose të nxirrnim vendin nga kriza- tha Gashi.
“Alternativa”deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj nënshkruan nismën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, më datë 11 nëntor.
Vendimi për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar.



