
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka depozituar në Gjykatë, kërkesën që kjo e fundit, të mos njohë kryetarin aktual të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreun, si kryetar të Shoqatës së Bashkive.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës, kryebashkiakia Ademi, nënvizon se Bashkia e Lezhës, e drejtuar nga Pjerin Ndreu, nuk është pjesë e shoqatës, e kësisoj sipas saj, mbledhja e organizuar nga Ndreu disa ditë më parë, është në kundërshtim me ligjin.
Edhe më herët Ademi e ka kundërshtuar këtë vendim, duke deklaruar se votimi është bërë nga eksponentë të Partisë Socialiste dhe jo nga anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
“Mbledhja e Asamblesë së thirrur nga Ndreu është e paligjshme, pasi është thirrur në kundërshtim me statutin në mungesë të një njoftimi, pa kaluar të paktën 30 ditë nga mbledhja e Komitetit Drejtues. Personat që kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të thirrur nga Ndreu, nuk janë zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe nuk mund të jenë përfaqësues të këtyre bashkive në shoqatë”, thuhet në komunikimin e Ademit.
Ndër të tjera, Voltana Ademi kërkon edhe mosregjistrimin e vendimit të Asamblesë të datës 8 shtator dhe vendimit të Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga Ndreu si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.



