
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojnë sot takime të ndara në Berlin me kancelarin Olaf Scholz.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode përmes një postimi në Twitter.
Ai ka shkruar se Scholz do ta mbajë një konferencë të përbashkët me kryeministrin kosovar, pas takimeve, në orën 16:00.
Ndërsa, takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç do të zhvillohet në orën 17:30, ndërsa nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë për media.
Për këtë arsye, pra në shërbim të mbështetjes së dialogut Prishtinë-Beograd, Scholz ka ftuar në Berlin edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, i cili do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, në mbrëmjen e 4 majit.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimi synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë.



