Kandidati për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Elbasan, Luçiano Boçi deklaron se Edi Rama nxitoi të konfirmojë tre kandidatë për zgjedhjet vendore, dhe konkretisht Fierin, Tiranën dhe Elbasanit, për shkak të çështjes së inceneratorëve të cilën ai e cilësoi si “kutinë e Pandorës”.
Duke folur për MCN Live, Boçi deklaroi se nëse zbulohet “kutia e Pandorës” në Elbasan, për shkak të inceneratorëve, rrezikon të rrëzohet qeveria.
Sipas tij, lufta për bashkitë ku janë inceneratorët, do të jetë lufta më e madhe që do bëhet për zgjedhjet, pasi siç tha ai inceneratori i Elbasanit administrohet nga bashkia Elbasan dhe bashkitë e tjera.
Do dalin në dritë fakte, prodhimi i energjisë ku është? Hiri ku hidhet, inceneratori nuk punon, pse nuk punon? Plehrat ku hidhen? Ka një sekret ushtarak.
Sot objekti që ruhet më shumë në Shqipëri janë inceneratorët, më shumë se SHISH. Janë objekte jo ushtarake, por kuazi ushtarake.
Nuk hyn dot në një inceneratorët që djeg plehrat, është e tmerrshme! Ndërkohë që të dhënat e SHISH dhe policisë kanë dalë. Shteti jonë bazën e sigurisë kombëtare e ka shndërruar në bazën e sigurisë së inceneratorëve, ruan vetveten.
Ai ngriti si problematikë se ashtu si qytetet e tjera, në masë të madhe Elbasani eksporton të rinj për shkak se nuk ka jetë rinore, nuk ka ambiente të mira për fëmijët.
Ndër të tjera Boçi tha se baza e demokratëve është e unifikuar në qëndrimin e saj dhe kjo është shprehur për një kandidat në primaret e Elbasanit.
Unë jam kandidati i vetëm për primaret. Është rënë dakord për të përcjellë mesazhin e unifikimit që unë të jem kandidati i vetëm.
Mund të kenë njerëz sporadikë që kanë mendimet e tyre që janë solid.
Ka një zemërim qytetar në Elbasan, siç ka dhe politik, prej 16 vitesh sundohet nga e majta dhe këtu ka kërkesë ulëritëse për ndryshim.



