Ardit Qylybyli është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike, dega Shkodër, duke marrë drejtimin e strukturës lokale në një moment të rëndësishëm për organizimin e saj.
Në një lidhje live me studion e lajmeve në MCN TV, ai ndau prioritetet dhe vizionin për të ardhmen e degës që tashmë drejton.
Qylybyli theksoi se fokusi kryesor do të jetë hapja e partisë dhe përfshirja e sa më shumë qytetarëve në aktivitetin politik.
Hapja e partisë së PD do të thotë që do fillojë puna shumë shpejt. Do thërrasim njerëzit, do ketë ftesë të hapur për të gjithë qytetarët që të na bashkohen në kauzën tonë. Ftojmë të gjithë ata që duan të kontribuojnë në PD dhe dera është e hapur për këdo që e ka këtë dëshirë.
Sipas tij, sfida më e madhe për Partinë Demokratike në Shkodër mbetet organizimi i strukturave dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme.
Sfida më e madhe për PD në Shkodër është organizimi i strukturave. Ne do futemi direkt në organizimin e partisë, do bëjmë kryesinë e degës dhe do përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme.
Ai komentoi gjithashtu zhvillimet e brendshme në parti, duke u ndalur te qëndrimet e deputetit Ervin Salianji.
Unë, të jem realist, besoj se Salianji ka dashur ta bëjë luftën brenda strukturave të PD dhe kjo nuk i shërben Partisë Demokratike. Ai s’mund të dalë të bëjë ‘foltore’ jashtë PD duke qenë anëtar i kryesisë së saj.
Në fund, Qylybyli u ndal edhe te qëndrimi politik i PD-së në raport me çështje ndërkombëtare, duke mbështetur vendimin për bojkotin e rezolutës ndaj Iranit.
Mendoj se bojkoti i PD për rezolutën ndaj Iranit ishte i drejtë.



