Ministri Ilir Beqaj ka shuar zërat e orëve të fundit se ai do të kërkojë dorëheqjen. Në një reagim në Facebook, ministri i Shëndetësisë shkruan se do të vijojë punën në krye të këtij dikasteri, ndërsa sqaron edhe të vërtetën sipas tij. Beqaj shkruan se çlirim Hajdarmataj është shkarkuar për shkelje të ligjit dhe jo pse nuk vajti në mbledhje.
Ja reagimi i plotë i Beqajt:
"Po, ajo çka është inçizuar dhe transmetuar sonte si një "skandal" i madh, është e vërtetë, por jo e gjithë e vërteta. Sepse, faktikisht, zotëria nuk është larguar nga puna si anëtar i padisiplinuar i PS-së dhe as është larguar me kërkesën time.
Por, është larguar pasi është kapur në shkelje flagrante të ligjit.
Shkelja në fjalë ishte se i ka paguar rrogën për tre muaj personit në detyrën e ekonomistit, i cili që nuk ka qenë fare në Shqipëri gjatë kësaj kohe.
Kështu që, duke shprehur keqardhjen që “u mbars mali e polli një mi”, si dhe duke i siguruar teleshikuesit apo lexuesit e gjysëminformuar mbi këtë episod, se hakmarrja e asnjëlloj natyre nuk është as pjesë e kulturës sime shoqërore, apo aq më pak e edukatës sime familjare, mbetem i përkushtuar në realizimin e objektivave të Qeverisë në sektorin ku kam nderin të drejtoj si ministër i shëndetësisë"



