
Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka reaguar pasi SHBA vendosi të sanksionojë Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin.
Në një reagim në Tëitter ai shkruan se, “Sot, Departamenti i Shtetit dhe @USTeasury ndërmori veprime për të caktuar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive. Shtetet e Bashkuara dhe partnerë si MB po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit".
Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka sanksionuar ish-deputetin e PDIU, Aqif Rakipi dhe pronarin e “Ora TV” Ylli Ndroqin. Sipas OFAC te dy këta individë akuzohen për korrupsion, shantazhe, përvetësim pronash, ryshfet e pjesëmarrje në krimin e organizuar.
Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033.
Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.
Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.
Departamenti i Shtetit përcakton gjithashtu edhe pjesëtarët e familjes së tyre të ngushtë sipas 7031(c). Ky vendim i bën ata dhe pjesëtarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.



