
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një konferencë për media pas Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, ka deklaruar se është simbolikë pozitive që Kosova dhe Serbia kanë interesim për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.
Lajçak ka thënë se mosliberalizimi i vizave për Kosovën tregon se situata nuk po ecën siç duhet dhe se ky proces mund të debllokohet vetëm nëpërmjet dialogut me Serbinë, ani pse kushtet për këtë proces i ka plotësuar Kosova prej vitesh.
“Kosova ende s’ka liberalizim të vizave. Kjo tregon që situata nuk po ecën si duhet. Prandaj është e rëndësishme të nisim një dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj do të ketë shumë aktivitete këtë vit”.
Lajçak, ka thënë se nuk ka shkak për pesimizëm sa i përket dialogut apo ndonjë ndryshim meqë Kosova ka një kryeministër të ri.
Ai ka thënë se takimi i parë mes të dyja palëve tash me Kurtin në krye nuk ka qenë i thjeshtë, kur u pyet nëse Kurti si kryeministër i ri i zgjedhur do të ketë ndikim tjetër të papritur për dialogun.
Lajçak ka shtuar se për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve do të angazhohen pasi nuk ka alternative tjetër pos normalizimit.
Takimi i parë mes të dyja vendeve, sipas tij, nuk ishte i lehtë, por se ishte në rrugën e duhur.
“Për takimin e parë personal midis liderëve të Serbisë dhe Kosovës do të ishte naive të themi që një takim i tillë ishte i thjeshtë. Fakti që një takim u zhvillua dhe u diskutua për disa orë, ku të dyja palët janë të interesuara për një normalizim të marrëdhënieve që besojnë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e duhur. Kjo është një shenjë pozitive”, ka thënë ai.
Alternativa e vetme në dialogun Kosovë-Serbi është normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Rezultatet e dialogut duhet të jenë rezultate jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por ato duhet të reflektojnë edhe në rajon, sepse kjo është e një rëndësie të veçantë.
“Nuk ka alternativë në këtë dialog, përpos normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo ka rëndësi për gjithë rajonin. Duam të angazhohemi që procesi të jetë i suksesshëm, jo vetëm në marrëdhëniet midis të dyja shteteve, por edhe të ardhmes evropiane”.
Ndërsa, sa i përket Ballkanit Perëndimor, Lajçak ka thënë se vetëm një shtet është anëtar i BE-së, ani pse kanë kaluar 18 vite nga takimi i Selanikut, ku me anë të një deklarate ishte shqiptuar se rajoni duhet të ketë të ardhmen në BE.



