
Reforma territoriale është tema e mbledhjes së grupit të deputetëve të PD-së, e thirrur nga Berisha. Në mbledhje janë të pranishëm 13 deputetë demokratë. Berisha e cilësoi reformën e hartuar në vitin 2014 si një nga dështimet më të mëdha në historinë e vendit. Sipas tij, reforma shtoi kostot në buxhetin e shtetit pasi rriti me 50 % numrin e punonjësve.
Reforma territoriale e qeverisë aktuale është një nga dështimet madhore në historinë e vendit, dështim i cili nxori në pah diskriminimin madhor të qytetarëve shqiptarë, pabarazinë e tyre në aksesin ndaj shërbimeve, një ndarje territoriale e bazuar në dëshira partiake dhe në kundërshtim flagrant me kriteret e përcaktuara nga kongresi i autoriteteve rajonale, në kundërshtim të hapur me interesat e qytetarëve shqiptarë. Kjo reformë është një dështim i madh sepse ishte presupozuar që të lehtësonte barrën e administratës mbi qytetarët shqiptarë, rrogëtarët që këta qytetarë paguajnë për njësi vendore. Nga 420 bashki dhe komuna, sot në 61 njësi të qeverisjes vendore, punonjësit që paguhen janë mbi 50% më shumë sesa nga ata që paguheshin në 420 njësi. Kjo reformë nuk ishte gjë tjetër veçse reforma e punësimit partiak. Në pazaret e mëparshme siç ka rezultuar, me të cilat PD sot nuk ka asnjë lidhje, me Edi Ramën ishte rënë dakord që të votohej vetingu dhe ai do shtonte 4 bashki. Ky ishte një pazar i papërgjegjshëm, jashtë të gjitha kritereve. Si zakonisht ky ishte një pazar sa për të kaluar radhën se dje PS deklaroi se nuk kemi asnjë detyrim dhe nuk do respektojmë asgjë.



