Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, e sheh koalicionin opozitar si frontin e bashkuar që i ka shpallur luftë kryeministrit Rama. Pas firmosjes së marrëveshjes me Partinë Demokratike, Shehi tha se ky koalicion partishe opozitare ka në themel mirëkuptimin politik.
“Është mirëkuptim politik mes gjithë palëve. Fatmirësisht jemi të larguar nga egoizmat e vogla parazgjedhore. Është beteja që ne i kemi shpallur Rilindjes dhe Edi Ramës”, tha ai.
I pyetur për rikthimin në politikën aktive të Astrit Patozit, Shehi la të kuptohet se pas partisë së re që pritet të regjistrohet fshihet vetë qeveria.
“Ne urojmë që kushdo që merr pjesë në betejën politike si opozitar është i mirëpritur. Kush merr pjesë thjesht si fasadë për qeverinë aktuale, kjo nuk ka rëndësi, ka ekzistuar edhe më parë”, tha ai.
Kreu i LZHK-së, shtoi se mes propozimeve në kuadër të marrëveshjes është edhe ai për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Do të rishikohen të gjitha. Reforma që mendojmë ne eshtë 360 gradë, sigurisht sistemi zgjedhor, sistemi kushtetues. Të gjitha këto tema janë brenda kësaj marrëveshjeje politike”, tha ai.



