
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha sot se i vjen mirë që edhe Kosova pranoi në parim planin e Bashkimit Evropian.
Ai në një shkrim në Twitter bën të ditur se pas pranimit të planit të BE-së nga Kosova do të vazhdojnë diskutimet në nivel të lartë.
Unë udhëtova në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurtin dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe po në Beograd për të takuar me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Petar Petkoviç.
Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë.
Ndryshe, të hënën për vizitë në vendin tonë ishte i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ndërsa u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Pas takimit në Prishtinë, Kurti në një postim në Twitter ka bërë të ditur se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara.
Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Lajçak, në orët e mbrëmjes u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se kishte “një bisedë të hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun. Kur them të hapur, atë vërtetë e mendoj. Më kuptuat të gjithë”, shkroi ai por pa dhënë hollësi të tjera.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka lanë të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke theksuar pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.



