
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit të vërë në zbatim me vepra premtimin për rritje të pagave dhe mjekëve, teksa shton se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’i trajtuar me dinjitet personelin shëndetësor.
Por sipas kryedemokratit, kjo është e pamundur ‘sa kohë që kemi një qeveri që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon’.
Ai premton se PD në pushtet do të rrisë në mënyrë dinjitoze pagat për mjekët dhe infermierët, deri në 1200 euro.
“Ne do t’i anulojmë koncesionet korruptive dhe paratë do të përdoren për mbështetje reale për mjekët dhe infermierët, me rritje pagash, me pajisje dhe kushte më të mira për t’ju shërbyer qytetarëve. Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët.
Kjo qeveri është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët edhe gjatë pandemisë. Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime te pambajtuara”, shkruan kreu i PD.



