Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë është shoqëruar me tensione dhe është pezulluar përkohësisht, pas mosmarrëveshjeve për listat e anëtarëve me të drejtë vote.
Sipas raportimeve, komisioni zgjedhor është tërhequr nga qendra e votimit duke marrë edhe kutitë e votimit, çka ka sjellë ndërprerjen e procesit.
Drejtuesi politik i PD në Korçë, Ivi Kaso, ka mohuar se ka pasur përplasje fizike dhe ka theksuar se pezullimi erdhi për shkak të tentativës së disa personave për të votuar pa qenë në lista.
Nuk ka patur përplasje, ka patur bllokim të procesit që aktualisht është i pezulluar sepse kanë tentuar të votojnë persona që nuk rezultojnë në listat e anëtarësisë… Dy kushtet për të votuar janë ose të gjendet emri në listë, ose zgjedhësi të paraqesë dokument identifikimi që provon anëtarësinë në PD.
Ai shtoi se procesi do të vijojë vetëm kur të garantohet respektimi i rregullave dhe integriteti i votës.
Nga ana tjetër, kandidati Harito Zoto ka kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të listave, duke theksuar se nuk duhet përjashtuar asnjë anëtar i PD-së nga votimi.
Ne nuk mund të përjashtojmë asnjë demokrat që të votojë… nuk mund të pranojmë që drejtues strukturash të mos jenë në listë.
Ai shtoi se problematika lidhet me listat e papërditësuara dhe se procesi duhet të ishte përgatitur më mirë.
Saktësimi i listave nuk mund të bëhet brenda ditës së sotme… Ne nuk do pranojmë që të rifillojë procesi sot duke hequr anëtarët e PD.
Procesi mbetet i pezulluar dhe pritet të rifillojë vetëm pas sqarimit të listave dhe dakordësisë mes palëve për rregullat e votimit.



