
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me raportimin në media të hetimit që ka nisur ndaj tij Prokuroria e Tiranës pesë ditë më parë.
Në një postim në “Facebook”, Pacolli shprehet se financimi i punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës është realizuar 100% me kolateralet e tij personale dhe me asetet e kompanisë së tij.
Ai shprehet se disa media, në mënyrë të qëllimshme ose jo, i kanë dhënë çështjes interpretime absurde.
Pacolli flet për një “fushatë të ndërmarrë nga disa dashakeq bukëshkalë që do të përballen me drejtësinë patjetër”.
Pesë ditë më parë, Prokuroria e Tiranës nisi ndaj Pacollit një hetim për mashtrim me pasoja të rënda. Hetimi u iniciua nga një dëshmi e Valon Ademit, përfaqësues i kompanisë 2A, e cila kryen shumicën e punimeve në aeroportin e Vlorës. Ademi e ka akuzuar publikisht Behgjet Pasollin për mashtrim.



